Moskokëçarja për edukimin e brezave të ri

Shkruan: Perparim Blakaj

I.

Gjeneratat e reja janë duke ecur gjurmëve të sendërtimit edukativo-shoqëror mbi themelet e  dobëta të lëna nga e kaluara. Viteve të fundit, si përgjithësisht, të rinjtë janë duke përjetuar vitet më të vështira në të gjitha fushat e zhvillimit. Flijimi i rinisë shqiptare për arritjen e interesave politike nga një grup i caktuar interesi ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen tashmë kaotike në Kosovën e pasluftës. Përkundër qenësisë shpirtërore ende të mbështjellur me ëndërra fëmijërore, të rinjtë sot, të ngulfaturit e sistemit të keqpërdorur, nuk janë të fortë moralisht të përballen me jetën e vështirë që u është servyer , sërvim ky nga ‘tjetri në shoqëri’ ose detyrimisht  janë pjesë e pandashme e saj. Vonë, është thënë e stërthënë se në vendin tonë ndikimi negativ vie nga individët e caktuar që befas vijnë nga qarqe të ndryshme negative e po aq kriminale, dhe rëndom kjo situatë e pavëzhguar sa vjen e vështirëson gjendjen tashmë të vështirësuar, sa vjen e krijon një shoqëri joimune, rritet dhe formësohet si një anomali shoqërore. Në njërën anë, përballë timonit të edukimit familjar të gjeneratave të reja nuk gjendet askush. Të pakurriz për të marrë një përgjegjësi të madhe. Dhe gjithsesi edhe timonin e problemeve të mëdha brendashtetërore fatkeqësisht, nuk është askush i përgjegjshëm për ta drejtuar. Ndoshta mungon guximi, ndoshta mungon mundësia e dhënë, ndoshta forca e fjalës apo ndoshta mundësia e vjedhur.

 

II.

Edukimi është shtylla kryesore e sundimit të botës sot, por ky i yni është mbështjellur keqas dhe asesi të shmanget nga errësira e kahmotshme që e ka përfshirë. Kjo ndodhë derisa përgjegjësit kanë harruar se ç’është përgjegjësia ndërsa të papërgjegjshmit kanë marrë përgjegjësinë që nuk u takon. Sot e njohur është pirja e duhanit nga një i ri njëmbëdhjetë vjeçar ndonëse kjo dukuri është nga pjesët e errëta të shoqërisë, pirja e drogës që vinte në pako të cigareve nga Prizreni, Malisheva, Gjilani e Ferizaji, për të arritur më pas në duart e njoma të shkollarëve në Gjakovë, Pejë, Klinë e Istog përfytyron mirë gjendjen kontaminuese të shkollave.  Të njohura janë edhe rrahjet brutale të ithtareve të boksit mes shkollarëve kosovarë si shkak bullizmin ose ndjekjen e trendeve botërore për dominim në shoqëri, më pas në gjithë shtetin të njohura janë ikjet e nxënësve nga orët e mësimit (orë këto të parëndësishme për ta), tutje njihet nmosedukata e mësimdhënësve për të qenë me kohë në shkollë e për të kryer punën e tyre brenda kurrikulave shtetërore e të njohura shumë më mirë janë ”kurrikulat personale” të mësimdhënësve në shkollat fillore dhe ato të mesme që në vend të mbajtjes së lëndës me rregull ata zënë vend të jenë me rregull në kafenetë e qytetit. Të njohura janë edhe vrasjet, po edhe vrasjet. Këto të fundit: ”Maja e Gjeravicës” për nga të viruset që edukimin e kanë infektuar e që vështirë të shkëputet pa lënë gjurmë.

 

 

 

III.

Edukimi, edukimi, edukimi!
Çdokush flet për edukimin. Edukimin e fëmijëve karshi dukurive negative që janë përhapur. Edukimin e prindërve për mirësjellje ndaj fëmijëve, edukimin e fëmijëve për mirësjellje ndaj të tjerëve, edukim për mësim, për art, për edukim fizik, për shkenca shoqërore e ato natyrore dhe më e rëndësishmja edukimin e gjeneratave të reja për emancipim gjithkulturor. Në fushën e botëpërjetimit, në Evropë, gjeneratat e reja brenda kombit shqiptar kanë në taborin të tyre dukuritë më të pamatshme, më të nyjëtuara dhe me të përimitura negative nga të gjithë popujt e tjerë. Edukimi është përgjigjja ndaj gjithkujt që flet për problemet me të cilat arsimimi përballet sot. Edukimi është çështje e debatuar, që zë fill kur problemet shoqërore përmenden. Zhvillimet psiko-sociale shumë dinamike në botë kanë bërë që tek ne të vështirësojnë gjendjen edhe më tepër. Fëmijët tanë, në shkolla, përkundër që nuk janë mësuar sesi të ecin drejtë, ata janë duke u mësuar sesi të vrapojnë, nuk janë mësuar mirë për të përdorur lapsin ndërsa të yshtur janë për të përdorur stilolapsin, ende pa filluar alfabetin kanë mësuar përdorimin e youtube-s ndërsa fatkeqësia më e madhe qëndron aty se, kjo gjë shihet si krenari dhe e arritur nga shtylla e edukimti familjar – prindërit. ”Oh, fëmija im është më i zgjuari në klasë”, – dëgjon duke thënë dikë, ”ka filluar qysh heret të mësonte gjuhën angleze dhe tashmë e ka përvetësuar atë, vijon mësimet me rregull dhe luan për skuadrën futbollistike të Prishtinës.”. Në anën tjetër, lavdërohen në pakufi klasat e nëntë për notat e shkelqyeshme që ata kanë përkundër qindra mungesave sa kanë marrë në terësi, dhe pa hezitim i quajnë ”nxënës të ndershëm dhe të zellshëm”. Përkundër këtyre arritjeve të këtyre fëmijëve të zellshëm e ndershëm shumë, njëri nga prindërit thotë me plot gojë se është krenar me djalin e tij, me notat e shkelqyeshme të tij, edhepse ai u kishte shitur drogë nxënësve të cilësuar si të ndershëm.  Sidoqoftë, sot të edukohesh e të marrësh arsimin do të thotë të posedosh një fletore dhe një stilolaps. Nëqoftëse, stilolapsi i nxënësit të zellshëm mungon, nuk është problem, nxënësi ynë i ndershëm është mësuar të vjedhë një stilolaps nga shoku përbri bankës së tij pa e hetuar ky i fundit. Edukimi është në këtë gjendje amullie, librat janë të mbyllur në sirtare, burimet e informacionit janë të pashfrytëzuara, lokalet e qytetit vazhdojnë të jenë më të zhurmshme se shkallët e shkollave, këshilla e vyer e prindërve mbahet për vete dhe problematikat shoqërore pleqërohen e tunden në mendjen e dy-tre personave.. Dhe po, kjo është e vërteta përkundër optimizmave të rrejshëm që servohen çdo ditë. Dhe po, edukimi në thelb, është rrënuar.

 

IV.

Muzika. Dikur para dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh të motivuar nga lufta çlirimtare e popullatës kosovare për liri dhe pavarësi, këndonim me mall e me hare për diturinë, për më të mirët e këtij vendi e madhëronim vlerat, jepnim zemër vetës e zemër shoqërise. Ndërsa sot,  sot kur flitet për muzikën, ajo është pashmangshëm sinonim i antivlerës, sinonim i injorancës, sinonim i së keqës. Kur flasim rreth saj, flasim për ”melodinë negative” që ka goditur veshin e rinisë tonë. Notojmë në ujërat e ndotura me meloditë e këngëve për dashurinë e madhe ndaj kokaninës, për melodinë ”e artit” që jep me pamjet pornografike të një vajze të përdalë teksa pi duhan afër një shkolle në Prishtinë, për videospotet  e të ashtuquajturve ”grupe rep-arstistësh” duke gjuajtur kundërshtarët e tyre me armë, për alkoolin si largues depresionesh. Këto ujëra të ndotura përbëjnë dukuritë tashmë të njohura si: ”akte shtazarake nga humanët shtazarak”. Këto përbëjnë një grup njerezish të lehtë evitueshëm që mundon e tundon shoqërinë derisa të arrijë qëllimin e prishjes absolute të një gjenerate të shëndoshë nga droga, të larguar nga alkooli dhe duhani, të përafruar e të ngjitur me bibliotekat e qytetit dhe të edukuar mirë, të informuar mirë e shumë të guximshme.

Fëmijët janë pjesa më e butë e shoqërisë, nga ta ndërtohet e sendërtohet bazamenti i ekzistimit të një shteti ligjor dhe të pavarur, por në të njejtën kohë fëmijët e përbëjnë pjesën më lehtë të ndikueshme brenda shoqërisë. Fëmijët përdorin duhanin qysh në shkollat fillore, nuk ndjekin mësimet me rregull, janë të përfshirë në krim të organizuar qyshherët, krijojnë rreth shoqëror të përbërë nga grupe kriminale, kanë krijuar klane ”artistësh” ku droga, alkooli e duhani mbizotëron. Fëmijët po shkatërrohen, ëndrrat për t’u bërë një doktor shkence, profesor universitar apo gjykatës kanë rënë nën hijen e këngëve që bëjnë thirrje për ikje nga shkolla, ike nga mësimin, ”qerim hesapesh” me luftë. Kjo nuk është gjëja më e çmuar që kemi mundur t’i ofrojmë atyre, sepse në vend të një libri gjendet arma në dorën e të mituri. në vend të pendës gjendet pakoja e cigareve blu, në vend të programeve informuese gjenden programet denigruese në telefonat e mençur. Kështu them me të drejtë, ndoshta ne me dorën tonë jemi duke krijuar gjenerata idiotësh funksionalë me telefona të mençur në duar.

Ne jemi duke punuar kundër vetvetës, ne po shkatërrojmë vendin tonë. Kush thua? Ne.

 

20.09.2017

SHPËRNDAJE